Tetovari i Dritës sfidon vendlindjen në duelin shqiptar!

Një tetovar, i rritur pranë kodrave të qytetit që e formoi si njeri dhe si futbollist, sonte do të zbresë në fushë i veshur me ngjyrat bardhekaltër, përballë pikërisht skuadrës së vendlindjes së tij.
Është Egzon Bejtullahi, qendërmbrojtësi që hapat e parë i hodhi në Teteks, e më pas për vite me radhë mbrojti ngjyrat dhe zemrën e Shkëndijës
(2013–2019 dhe 2020–2023).

Nga viti 2024, ai është bërë një shtyllë e pakontestueshme e Dritës, duke treguar karakter, pjekuri dhe profesionalizëm të rrallë.

Sonte, ai do të përballet me emocionet më të forta që e përcjellin një sportist: me krenarinë që të jep fanella që mban sot, dhe me kujtimet e viteve të rinisë në qytetin që e rriti.
Por një gjë është e sigurt,  Egzoni di të jetë profesionist, di të japë zemër e shpirt për ngjyrat që mbron, dhe edhe sonte, në një natë të madhe futbolli, ai do të jetë gati të japë maksimumin së bashku me shokët e tij.

Kjo ndeshje nuk është vetëm sportive.

Është simbolike, është emocionale, është një histori krenarie shqiptare.

Veçanërisht tani, një ditë para 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, kur zemrat kuq e zi rrahin më fort.

Sonte, nga ora 21:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Conference League, do të përballen dy skuadrat shqiptare: Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës.
Dhe në mes të tyre, një futbollist që e njeh mirë edhe njërën, edhe tjetrën anë të historisë.

 

 

Shpërndaj me të tjerët