Dashuria për atdheun nuk është vetëm me fjalë, por me punë dhe përgjegjësi çdo ditë

 

Islami dhe atdhedashuria, mesazh i përhershëm për mbrojtjen dhe ndërtimin e vendit

Islami e vërteton qartë se mbrojtja e vendit, ruajtja e tij nga rreziqet dhe kontributi për zhvillimin e tij janë pjesë e pandashme e fesë.

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) kur u njoftua se do të dëbohej nga vendlindja e tij për shkak të misionit profetik, i habitur tha: “A do të më dëbojnë mua?!”

Kjo dëshmon dashurinë e madhe që ai kishte për Mekën.

Madje, edhe pas shpërnguljes në Medinë, i lutej Allahut: “O Zot, bëje Medinën të dashur për ne, ashtu siç e bëre Mekën, madje edhe më shumë.” (Muttefekun alejhi)

Kur u detyrua të largohej me dhunë nga Meka, Pejgamberi tha: “Pasha Allahun, ti je vendi më i dashur për mua.

Sikur populli yt të mos më dëbonte, unë nuk do të largohesha.” Ndërsa Allahu e qetësoi me fjalën: “Ai që ta ka urdhëruar ty Kuranin, do të kthejë në vendin e caktuar.” (Kasas, 85)

Këto argumente tregojnë se dashuria për vendin është pjesë e natyrës së njeriut dhe e fesë.

Ruajtja e vendit, e pasurisë, e nderit dhe e familjes janë vepra madhore në Islam. Pejgamberi thotë: “Kush lufton për pasurinë e tij është shehid; kush lufton për nderin e tij është shehid; kush lufton për familjen e tij është shehid; kush lufton për fenë e tij është shehid.”

Dashuria për vendin kërkon punë, moral dhe përgjegjësi

Njeriu ka detyrë të jetë i angazhuar për vendin ku jeton, ta ndërtojë dhe ta ruajë atë. Allahu thotë:
“Ai ju krijoi nga toka dhe ju vendosi të jetoni në të.” (Hud, 61)

Po ashtu, lutja për vendin është obligim fetar. Kurani na rikujton lutjen e Ibrahimit a.s.:
“O Zoti im, bëje këtë vend të sigurt dhe furnizoji banorët e tij.” (Bekare, 126)

Kjo lutje përfshin dy shtylla themelore të çdo shteti modern: sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.

Por dashuria për vendin nuk tregohet vetëm me fjalë, por me moral, me punë dhe me përgjegjësi.

Atdheu nuk ndërtohet me fjalë të bukura, ndërsa pas perdes shkatërrohet pasuria publike, cenohen vlerat dhe dëmtohet morali i shoqërisë.

Një popull ruan identitetin kur ruan moralin, ekonominë, sigurinë dhe pasurinë e përbashkët.

Roli i familjes, shkollës dhe xhamisë

Familja është themeli i ruajtjes së vlerave.
Shkolla dhe mësuesit kanë rol të pazëvendësueshëm në edukimin moral e kombëtar.
Xhamitë dhe imamët kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rol të madh në ruajtjen e vlerave shpirtërore dhe kombëtare.

Historia e popullit shqiptar e dëshmon këtë. Lidhja e Prizrenit u formua në xhaminë “Bajrakli”.

Nga 40 firmëtarët e pavarësisë, 27 ishin myslimanë – pesë prej tyre ishin imamë.

Emra si Myfti Vehbi Dibra, Hafëz Ibrahim Dalliu, Hoxhë Tahsini, Ymer Prizreni, Hafiz Ali Korça, Ismail Ndroqi, Mulla Idriz Gjilani e shumë të tjerë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare.

Prandaj është e padrejtë dhe jo shkencore që roli i tyre të anashkalohet në historiografi.

Obligimet ndaj vendit

1. Lutja për atdheun – të përfshijmë në lutjet tona vendin, sigurinë dhe njerëzit e tij.
2. Respektimi i ligjit – shenjë e besimtarit të mirë dhe e qytetarit të përgjegjshëm.
3. Mbrojtja e vendit – jo vetëm ushtarakisht, por edhe moralisht dhe intelektualisht.
4. Puna dhe kontributi shoqëror – bujku në arën e tij, mësuesi në klasën e tij, profesori në universitet, punëtori në fabrikë – të gjithë janë pjesë e ndërtimit të vendit.

Mesazhi i festave kombëtare

28 Nëntori, 17 Shkurti dhe festat tjera kombëtare sjellin me vete një mesazh të qartë:
Të duam atdheun jo vetëm me fjalë, por me punë, moral, përgjegjësi dhe kontribut të përditshëm.

Kështu ka thënë hafiz Shaban Muratti, imam i Xhamisë në Dardani, Gjilan, gjatë hytbes së xhumës.

 

 

Shpërndaj me të tjerët