PROMOVIM VEPRE / Përurohet libri i ri poetik i Nexhat Rexhës, “Mes gurësh përkunden ëndrrat”

Në ambientet e bibliotekës rajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, në kuadër të edicionit të tretë të veprimtarive letrare “Shpalime pranverore”, është përuruar suksesshëm libri më i ri poetik i shkrimtarit Nexhat Rexha, me titull: “MES GURËSH PËRKUNDEN ËNDRRAT”.

Ky botim i shtëpisë botuese “Faik Konica” vjen si një kurorëzim i dy përvjetorëve të rëndësishëm të autorit: 70-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit të krijimtarisë së tij të pasur letrare.

Vepra është mbështetur financiarisht nga Komuna e Kamenicës, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e autorit.

Në këtë ngjarje, që u drejtua nga shkrimtarja Albina Idrizi, morën pjesë personalitete të shumta të kulturës.

Drejtori për Kulturë i Komunës së Kamenicës, Afrim Dërvishi, si dhe botuesi i mirënjohur Nazmi Rrahmani, vlerësuan lart figurën e Nexhat Rexhës dhe rëndësinë e këtij vëllimi të ri në korpusin e letërsisë sonë.

Vlerësimet profesionale për librin u dhanë nga redaktori prof. dr. Anton Nikë Berisha dhe mr. Arsim Halili.

Po ashtu, përmes poetes Kaltrinë Berisha, u lexuan fragmente nga vështrimi letrar i Timo Mërkurit. Studiuesit ishin të një mendjeje: ky libër jo vetëm që përmbush kërkesat e larta estetike, por shënon një nga pikat më të larta të realizimit artistik të shkrimtarit Rexha.

Përurimi u bë edhe më emocionues përmes deklamimit të vargjeve të librit nga Linditë Ramushi Dushku, Liridonë Mehmeti dhe Yllka Pireva, të cilat përçuan te publiku ndjeshmërinë dhe forcën e poezisë së autorit.

Në mbyllje të kësaj mbledhjeje mbresëlënëse letrare, vetë autori Nexhat Rexha falënderoi të pranishmit dhe institucionet, duke u shprehur i emocionuar për rrugëtimin e tij katër-dekadash me penën në dorë.

 

Shpërndaj me të tjerët