Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Gjilanit, ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të mitur të dyshuar për veprat penale të mashtrimit dhe keqpërdorimit të kartelave bankare.
Në komunikatën zyrtare thuhet se Njësia e Hetimeve Rajonale – Ekipi i Krimeve Kibernetike në Gjilan, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, më 08.12.2025 ka filluar hetimet lidhur me rastin e dyshimit për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulese ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave bankare apo kreditit”.
Gjatë fazës hetimore janë siguruar prova të besueshme që dy të dyshuarit, për një periudhë të caktuar kohe, dyshohet se përmes mashtrimit kanë keqpërdorur të dhëna bankare të disa qytetarëve me qëllim përfitimi material të kundërligjshëm.
Më 11.12.2025, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, policia ka kryer kontrolle në dy lokacione të ndara, ku janë sekuestruar prova shtesë që forcojnë dyshimet për kryerjen e veprave penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulese ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave bankare apo kreditit”, “Mashtrimi” dhe “Shpërdorimi i pasurisë”.
Të dy të dyshuarit, pas arrestimit, janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 24 orë.
