Ditën e sotme, në fshatin Llashticë u zhvillua ceremonia e përurimit të monumentit me tri shkronjat e arta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si simbol i papërkulur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare.
Aktiviteti mblodhi qindra banorë të zonës, deputetë, udhëheqës e eprorë të luftës, veteranë e invalidë, si dhe familjarë të dëshmorëve e martirëve të rënë për liri, të cilët nderuan këtë vepër me peshë të veçantë historike.
Realizimi i këtij projekti madhor u bë i mundur nëpërmjet vetëfinancimit dhe angazhimit vullnetar të vetë banorëve të fshatit Llashticë.
Kjo iniciativë e komunitetit mori falënderime dhe mirënjohje të thella nga të pranishmit për përkushtimin e treguar në ruajtjen, lartësimin dhe përcjelljen e vlerave të luftës çlirimtare te brezat e ardhshëm.
Ceremonia u përmbyll me mesazhin e përhershëm të nderimit: Lavdi e përjetshme UÇK-së, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që u flijuan për lirinë e Kosovës!
