Kur barazia në letra krijon pabarazi në xhepa

 

Barazi në përqindje, pabarazi në xhep

Nga Avdyl Kastrati

Premtimi për rritje pagash prej 50% për të gjithë po prezantohet si politikë e drejtë dhe barazuese.

Në realitet, një rritje lineare e tillë prodhon pabarazi reale dhe krijon rreziqe serioze për financat publike.

Sipas deklarimeve publike, paga minimale pritet të arrijë në 500 euro nga korriku i vitit 2026.

Nëse aplikohet një rritje lineare prej 50%, rezultatet janë të qarta:

500 € → 750 €

700 € → 1,050 €

1,000 € → 1,500 €

1,500 € → 2,250 €

Në letër, të gjithë trajtohen njësoj.

Në praktikë, përfitimi rritet proporcionalisht me nivelin e pagës fillestare. Diferenca mes pagës minimale dhe një page prej 1,500 euro sot është 1,000 euro; pas rritjes, ajo rritet në 1,500 euro.

Pra, hendeku social nuk ngushtohet – përkundrazi, zgjerohet.

Nga këndvështrimi fiskal, një rritje lineare prej 50% është jashtëzakonisht e kushtueshme.

Pa burime të qarta financimi, pa rritje reale të produktivitetit dhe pa reforma strukturore, kjo politikë ose mbetet një premtim i parealizueshëm, ose paguhet nga qytetarët përmes taksave më të larta dhe shkurtimeve në shërbimet publike.

Problemi thelbësor qëndron te filozofia e gabuar ekonomike: trajtimi i të pabarabartëve si të barabartë.

Politikat serioze të pagave janë progresive dhe të targetuara, duke u fokusuar te punëtorët me paga të ulëta dhe të mesme, aty ku rritja e të ardhurave ka ndikimin më të madh social dhe ekonomik.

Pagat duhet të rriten, por jo me formula që favorizojnë më të fortët ekonomikisht.

Rritjet fikse, rritjet e diferencuara dhe forcimi i pagës minimale janë rruga më e drejtë për rritjen e mirëqenies reale të shumicës.

Ekonomia nuk ndërtohet me slogane elektorale. Ajo kërkon llogari të sakta, drejtësi sociale dhe përgjegjësi politike.

Përndryshe, barazia mbetet vetëm në përqindje, ndërsa pabarazia thellohet në xhepin e qytetarëve.

(Autori është magjistër i ekonomisë dhe njohës i mirë i financave)

Top of Form

Bottom of Form

 

Shpërndaj me të tjerët