Cakolli: Kjo pritet të jetë ndarja finale e mandateve në Kuvend

 

Tashmë që janë verifikuar dhe procesuar të gjitha vendvotimet në nivel vendi, bazuar në rezultatet aktuale, ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës është e qartë.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar 56 mandate, prej të cilave të paktën 17 i takojnë grave.

Partia Demokratike të Kosovës (PDK) ka 23 mandate, me së paku 7 gra, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 mandate, me së paku 5 gra, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6 mandate, me së paku 2 gra.

Sipas Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, votat nga përfaqësitë diplomatike, ndonëse me përqindje të lartë në favor të LVV-së, ngjashëm me zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk prodhojnë ndryshim në numrin e mandateve.

Po ashtu, as votat me kusht, të cilat në përgjithësi ndjekin trendin e votimit brenda vendit, nuk kanë potencial real për të ndikuar në shpërndarjen e ulëseve.

Cakolli thekson se votat me postë mbeten të vetmet që mund të ndikojnë në rezultat, por edhe ato në mënyrë të kufizuar, maksimalisht në një ose dy mandate.

Edhe në një skenar teorik ku të gjitha rreth 58 mijë dërgesat postare arrijnë në kohë dhe rezultojnë valide, gjë që historikisht nuk ka ndodhur, LVV-së do t’i duhej rreth 80 deri në 85 për qind e këtyre votave për të siguruar mandatin e 57-të.

Për ta fituar edhe mandatin e 58-të, do të nevojitej rreth 90 për qind e votave me postë.

Sipas tij, lëvizjet e mundshme mes mandateve të PDK-së dhe LDK-së varen nga performanca e tyre përkatëse, me gjasë që partia me koeficientin më të ulët të humbasë mandatin e parë.

Duke u bazuar në trendet aktuale dhe përvojat nga ciklet e mëparshme zgjedhore, Cakolli vlerëson se skenari më realist në përfundim të procesit është ky:

LVV – 57 ulëse

PDK – 22 ulëse

LDK – 15 ulëse

AAK – 6 ulëse

 

Shpërndaj me të tjerët