Vazhdojnë aktivitetet e “Flakës së Janarit” – Sot shënohet 45-vjetori i revistës “Horizonti”
Po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, edicioni i 35-të, i cili organizohet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Sot (e enjte), në kuadër të këtij manifestimi, shënohet 45-vjetori i daljes së revistës së enigmatëve “Horizonti”.
Aktiviteti mbahet në Bibliotekën “Fan S. Noli” në Gjilan, duke filluar nga ora 12:00, ku do të ndahen pllaketa mirënjohjeje për të gjithë ata që kanë kontribuar gjatë rrugëtimit 45-vjeçar të kësaj reviste.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka theksuar se aktivitetet e “Flakës së Janarit” po vazhdojnë me intensitet, duke përfshirë ngjarje përkujtimore dhe kulturore në nderim të dëshmorëve dhe sakrificës për liri.
“Na u bashkoni në këtë organizim treditor, që të ruajmë traditën dhe ta mbajmë gjallë flakën e lirisë dhe të kujtesës”, ka deklaruar kryetari Hyseni.
Aktivitetet e “Flakës së Janarit” kanë nisur më 11 janar, me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë, politikë, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës dhe qytetarë.
Po ashtu, është vizituar edhe Kazerma e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gjilan, ku pjesëmarrësit u pritën nga komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së FSK-së, nënkolonel Arben Avdyli.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues institucionalë, vizituan edhe familjet e heronjve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, të rënë më 11 janar 1984.
Ndërkohë, në mbrëmjen e 11 janarit është realizuar defileja tradicionale nga të rinjtë, si dhe është ndezur flakadani i “Flakës së Janarit”, i përcjellë nga Orkestra Frymore “Selman Vokshi”.
Manifestimi “Flaka e Janarit” do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me aktivitete të shumta kulturore, artistike dhe përkujtimore.

