Rinumërimi zbulon mbi 80 mijë vota të gabuara

Rinumërimi i votave në mbi 50 për qind të vendvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit ka nxjerrë në pah parregullsi serioze në procesin e numërimit të votave preferenciale.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në nivel vendi janë evidentuar rreth 80 mijë vota të kandidatëve të numëruara gabimisht.

Nga këto, 47,619 vota u janë hequr kandidatëve, pasi rezultuan të shtuara gabimisht gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota u janë shtuar, pasi më herët ishin hequr në mënyrë të parregullt.

Në zgjedhjet e fundit në Kosovë janë regjistruar rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, ndërsa për shkak të votës preferenciale deri në 10 kandidatë, janë shënuar gjithsej 6.8 milion vota për kandidatë, që nënkupton se mesatarisht çdo votues ka përzgjedhur rreth 7 kandidatë në fletëvotim.

Sipas analizës, pjesa më e madhe e votave të gabuara i përket partive politike si vijon:
rreth 40 mijë vota për kandidatët e PDK-së, rreth 15 mijë vota për LVV-në, rreth 11 mijë vota për LDK-në, dhe rreth 4 mijë vota për AAK-në.

Sa i përket shpërndarjes territoriale, mbi 80 për qind e votave të dyshimta vijnë nga komuna e Prizrenit, ndërsa pas saj renditen Malisheva dhe Podujeva, kjo e fundit e rinumëruar vetëm pjesërisht.

Sipas Cakollit, rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, e kombinuar me centralizimin e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, e ka bërë procesin shumë më të ndjeshëm ndaj gabimeve dhe abuzimeve.

Ai thekson se kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash, të cilët në disa raste kanë rezultuar të jenë familjarë apo të afërt të kandidatëve,  rreziku për manipulim dhe devijim të rezultateve rritet ndjeshëm.

Shpërndaj me të tjerët