Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit me mbi 150 mijë shërbime specialistike gjatë vitit 2025 Gjilan
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka realizuar një numër të konsiderueshëm shërbimesh shëndetësore gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, duke dëshmuar përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të qytetarëve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 në ambulancat specialistike të këtij institucioni janë ofruar gjithsej 150,068 shërbime specialistike, ku mijëra pacientë kanë marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor.
Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë hospitalizuar 14,072 pacientë në të gjitha repartet e spitalit, çka dëshmon për ngarkesën dhe rëndësinë e madhe që ka ky institucion për rajonin e Anamoravës.
Nga menaxhmenti i spitalit theksohet se angazhimi për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të sigurta mbetet prioritet i përhershëm, ndërsa stafi mjekësor dhe ai infermieror vazhdon të punojë me përkushtim maksimal në shërbim të pacientëve.
“Do të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona për t’u dalë në ndihmë pacientëve që kanë nevojë për shërbime shëndetësore. Jemi këtu për qytetarët tanë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit mbetet një nga shtyllat kryesore të kujdesit shëndetësor në rajon, duke ofruar shërbime të vazhdueshme dhe profesionale për të gjithë pacientët.
