Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” priti në takim Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur sot në takim Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi.
Ky takim vjen pas një sërë takimesh institucionale të zhvilluara nga rektori Dërmaku gjatë ditës, pasi pak orë më parë ai kishte pritur edhe kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve arsimore dhe Policisë së Kosovës, me theks të veçantë në sigurimin e një ambienti të sigurt për studentët dhe stafin akademik.
Po ashtu, u bisedua për mundësitë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta edukative dhe informative.
Rektori i UP “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi se siguria e studentëve dhe e stafit akademik mbetet prioritet kryesor i institucionit që ai drejton.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është i domosdoshëm për krijimin e një ambienti të sigurt dhe mbështetës për mësimdhënie, kërkime shkencore dhe aktivitete studentore.
Nga ana e tij, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi, tha se Policia e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë institucionet arsimore në garantimin e sigurisë dhe rendit publik.
Ai shtoi se bashkëpunimi me Universitetin Publik “Kadri Zeka” do të vazhdojë të forcohet përmes aktiviteteve preventive dhe programeve të ndërgjegjësimit për studentët dhe stafin.
Në përfundim, të dy palët u pajtuan për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm, me qëllim që ambientet universitare të jenë të sigurta dhe njëkohësisht të nxisin zhvillimin akademik dhe mirëqenien e komunitetit universitar.

