Berisha: Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar, teknologjia ende në vendnumëro

 

Samir Berisha, zyrtar i lartë në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, ka theksuar se arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar dhe investimi më strategjik i një shteti për demokracinë, ekonominë dhe stabilitetin shoqëror.

Ai ka vënë në pah se investimi në teknologji dhe digjitalizimi i shkollave është domosdoshmëri për të ardhmen, duke rikujtuar një shkrim personal të vitit 2021, të cilin e ka ripublikuar edhe së fundmi.

Sipas Berishës, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se katër vite, gjendja në sektorin e teknologjisë në arsim ka mbetur pothuajse e njëjtë.

“Nëse duam zhvillim ekonomik dhe stabilitet shtetëror, duhet së pari një arsim cilësor. Kjo nuk mund të arrihet pa investime serioze në digjitalizimin e shkollave”, ka shkruar Berisha.

Ai thekson se investimi në teknologji mund të mos kthehet drejtpërdrejt në vota politike, por kthehet në cilësi më të lartë arsimore dhe përgatitje më të mirë të brezave të rinj.

Sipas tij, rruga drejt digjitalizimit nuk është e lehtë dhe as e lirë, por është e pashmangshme drejt një shkolle moderne dhe bashkëkohore.

Berisha ka kritikuar faktin se në shumë klasa mjetet e vetme të punës vazhdojnë të jenë libri, tabela dhe shkumësi, ndërkohë që mësimdhënësit dhe udhëheqësit e shkollave humbin orë të tëra në punë administrative, në vend se t’u përkushtohen nxënësve dhe cilësisë së mësimdhënies.

Ai po ashtu ka theksuar se përmes teknologjisë mund të lehtësohet komunikimi me prindërit, menaxhimi i vlerësimeve, vijueshmëria e stafit dhe transparenca e punës së shkollës, pa qenë e nevojshme prania fizike e vazhdueshme e prindërve në institucione.

Në fund, Berisha ka rikujtuar se pandemia dëshmoi qartë mungesën e përgatitjes teknologjike në arsim, duke shtuar se trajnimet për stafin udhëheqës dhe mësimdhënësit janë të domosdoshme, në mënyrë që teknologjia të përdoret realisht dhe me efikasitet në procesin mësimor.

Shpërndaj me të tjerët