Trajneri gjilanas i basketbollit, Laurant Ibrahimi, do ta drejtojë përkohësisht skuadrën e Sigal Prishtinës, derisa klubi kryeqytetas të angazhojë një trajner të ri.
Tekniku nga Gjilani sfidën e parë do ta ketë kundër Pejës, në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës.
Lajmin e kanë konfirmuar drejtuesit e Sigal Prishtinës përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se përkohësisht besimi i është dhënë trajnerit vendor dhe me shumë perspektivë, Laurant Ibrahimi.
“Ekipin sot do ta drejtojë trajneri vendor dhe me shumë perspektivë, Laurant Ibrahimi. Trajnerit nga Gjilani përkohësisht i është dhënë besimi për këtë përballje dhe deri në momentin e ardhjes së trajnerit të ri, ai do ta udhëheqë skuadrën bardhekaltër”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ndryshe, Sigal Prishtina ditë më parë njoftoi për largimin e trajnerit Michalis Kakiouzis, ndërsa klubi ka bërë të ditur se trajneri i ri tashmë është përzgjedhur, por ende nuk ka filluar punën me ekipin.

