Tre trajnerë nga Gjilani janë emëruar në pozita të rëndësishme në përfaqësueset e reja të Kosovës në basketboll, bazuar në vendimin e bërë publik nga Federata e Basketbollit e Kosovës.
Trajneri i njohur gjilanas Gyltekin Selimi, i cili më herët ka qenë kryetrajner i KB Drita dhe së fundmi i KB Vëllaznimi, është emëruar kryetrajner i Përfaqësueses së Kosovës për meshkuj U-16.
Ndihmës i tij është caktuar trajneri tjetër gjilanas, Laurant Ibrahimi, i cili aktualisht vepron si ndihmëstrajner te KB Sigal Prishtina.
Ndërkohë, trajneri i tretë nga Gjilani, Qëndrim Demi, që aktualisht udhëheq ekipin e vajzave të United Basketball Gjilan, është emëruar kryetrajner i Përfaqësueses së Kosovës për vajza U-16.
Emërimi i këtyre tre trajnerëve vlerësohet si plotësisht i merituar, duke marrë parasysh përvojën, përkushtimin dhe punën e tyre profesionale ndër vite.
Ata konsiderohen perspektivë e rëndësishme për të ardhmen e basketbollit, jo vetëm në Gjilan, por edhe në nivel vendi, veçanërisht në aspektin teknik dhe zhvillimin e gjeneratave të reja.
Këto emërime vijnë në një kohë kur basketbolli gjilanas, përfshirë KB Drita që garon në Ligën e Parë të Kosovës, po kalon një fazë sfiduese sa i përket rezultateve, por njëkohësisht dëshmon se potenciali njerëzor dhe profesional në këtë qytet mbetet i lartë.

