Ramadani optimist para Celjes, Drita gati për betejën evropiane

FC Drita sonte përballet me Celjen në “Fadil Vokrri”, Ramadani beson në identitetin e ekipit

FC Drita sonte, me fillim nga ora 21:00, në stadiumin Fadil Vokrri Stadium në Prishtinë, pret skuadrën sllovene NK Celje në ndeshjen e parë të Play-Off-it të fazës nokaut, në kuadër të UEFA Conference League.

Në prag të kësaj sfide të rëndësishme evropiane, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është shfaqur i matur dhe i qetë, duke theksuar se skuadra nuk duhet të dalë nga identiteti i saj.

“Ne gjithmonë kemi pasur përballë vetes motivin dhe kemi funksionuar si ekip. Kjo na ka sjellë sukses dhe nuk duhet të largohemi nga ky parim”, ka deklaruar Ramadani.

Ai ka pranuar se përballja me Celjen do të jetë e vështirë, por ka theksuar se kualifikimi nuk është i pamundur.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, por kemi analizuar kundërshtarin dhe e kemi përgatitur ekipin në aspektin fizik, psikologjik dhe taktik. Edhe pse sfida është e fortë, kualifikimi asesi nuk është i pamundur”, ka theksuar Ramadani.

Trajneri i Dritës ka folur edhe për gjendjen e ekipit, duke pranuar mungesën e disa lojtarëve, por duke shprehur besim të plotë te grupi aktual.

“Ekipi është i përgatitur, pavarësisht mungesës së disa lojtarëve që tashmë i dini. Jam i kënaqur me pjesën tjetër të skuadrës dhe jam i bindur se mungesat nuk do të vërehen. Shpresojmë të japim maksimumin, si në çdo ndeshje”, përfundoi Ramadani.

Shpërndaj me të tjerët