Gjilani–Prishtina kryesfida e javës, Drita në transfertë ndaj Llapit

Dy derbi, një javë vendimtare për Gjilanin dhe Dritën në Superligë

Dy skuadrat gjilanase, Gjilani dhe Drita, i presin sfida të rëndësishme në kuadër të javës së 21-të të Superliga e Kosovës.

Gjilani e pret në shtëpi Prishtina, në atë që konsiderohet ndeshja kryesore e javës, ndërsa Drita udhëton në Podujevë për t’u përballur me Llapi.

Prishtina aktualisht renditet në pozitën e dytë me 36 pikë, po aq sa lideri Ballkani, ndërsa Gjilani mban vendin e gjashtë me 27 pikë.

Përballja mes dy skuadrave me traditë dhe emra të njohur të futbollit kosovar pritet të jetë vendimtare për objektivat e sezonit.

Trajneri i Gjilanit, Debatik Curri, e vlerësoi lart rëndësinë e takimit:

“Është një ndeshje që na obligon të japim maksimumin, sidomos kur luajmë para publikut tonë. Duhet të jemi të përqendruar në çdo top, sepse detajet do ta vendosin rezultatin.”

Në anën tjetër, kampioni aktual Drita synon rikthimin te fitorja në transfertë ndaj Llapit, skuadër nga e cila u eliminua më herët në Kupë.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, theksoi rëndësinë e tre pikëve edhe në aspektin psikologjik:

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por nëse japim gjithçka nga vetja dhe marrim fitoren, ajo do të na ndihmonte shumë edhe për përballjen e radhës në Slloveni. U besoj futbollistëve dhe jam i bindur se, nëse e përsërisim lojën e pjesës së dytë si të enjten, do të kthehemi me tri pikë.”

Java e 21-të pritet të sjellë emocione të mëdha dhe të ndikojë ndjeshëm në renditjen e Superligës.

Gjilani kërkon të përfitojë nga shtëpia, ndërsa Drita synon të dëshmojë forcën edhe në transfertë.

 

Shpërndaj me të tjerët