GJILAN – Me fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit, shumë besimtarë fokusohen te ndikimi i agjërimit në shëndetin e tyre.
Lidhur me këtë, specialisti i njohur gjilanas i syve, Dr. Ardian Shabani, ka ndarë disa këshilla të rëndësishme profesionale se si ndikon agjërimi në shëndetin e syve dhe cilat janë masat që duhet të ndërmerren.
Sipas Dr. Shabanit, agjërimi ka disa anë pozitive biologjike, pasi nxit procesin e autofagjisë, i cili ndihmon retinën të pastrohet nga mbetjet qelizore. Po ashtu, stabilizimi i sheqerit në gjak gjatë kësaj periudhe luan një rol kyç në mbrojtjen e enëve të gjakut të syrit nga dëmtimet e rënda.
Megjithatë, mjeku këshillon kujdes të shtuar sa i përket hidratimit. Gjatë kohës kur lejohet pirja e lëngjeve, nga Iftari deri në Syfyr, besimtarët duhet të konsumojnë mjaftueshëm ujë për të shmangur tharjen e syve, që mund të shkaktohet nga mungesa e lëngjeve gjatë ditës.
Një vëmendje e veçantë u kushtohet pacientëve me diagnoza specifike.
Dr. Shabani thekson se personat që vuajnë nga glaukoma e avancuar apo retinopatia diabetike duhet të konsultohen patjetër me mjekun për menaxhimin e medikamenteve dhe pikave të syrit gjatë orëve të agjërimit, në mënyrë që të ruajnë stabilitetin e gjendjes së tyre shëndetësore.
Specialisti Shabani rikujton se shëndeti i syve është pasqyra e shëndetit të përgjithshëm, prandaj kujdesi gjatë këtij muaji duhet të jetë i balancuar mes përkushtimit dhe mirëmbajtjes fizike.
