26 vjet nga rënia e dëshmorit Fatmir Ibishi, kujtohet komandanti që la mërgimin për lirinë

GJILAN – Me rastin e 26-vjetorit të rënies së dëshmorit të parë të Kosovës Lindore, Fatmir Ibishi, bashkëluftëtarët dhe miqtë kanë kujtuar me nderime të larta figurën e tij prej luftëtari dhe komandanti.

Bajram Isufi, bashkëluftëtar i Ibishit, përmes një njoftimi plot emocion, ka evokuar kujtimet për figurën e dëshmorit, duke vënë në pah sakrificën e tij të madhe për atdheun. Isufi ka theksuar se Fatmir Ibishi ishte një nga djemtë e shumtë që lanë komoditetin e jetës në Perëndim për t’u bërë pjesë e lavdisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas Isufit, sapo u kthye në vendlindje, Ibishi u kyç menjëherë në njësitet guerile të UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut, duke shërbyer me devotshmëri në kuadër të Brigadës 171 “Kadri Zeka”.

Kontributi i tij ishte vendimtar edhe në vijimin e përpjekjeve çlirimtare në Kosovën Lindore, ku ai ishte ndër emrat e parë që punuan për themelimin e UÇPMB-së.

“Në 26-vjetorin e rënies së dëshmorit të parë në Kosovën Lindore, komandant Fatmir Ibishi, kujtojmë me nderim njeriun që la gjithçka për lirinë tonë. Ai ishte ndër të parët në themelimin e UÇPMB-së dhe mbetet shembull i atdhedashurisë,” është shprehur Isufi.

Në fund të këtij përkujtimi, Isufi ka përcjellë mesazhin e respektit të përjetshëm për bashkëluftëtarin e tij dhe për të gjithë dëshmorët e kombit, të cilët ranë për të mos vdekur kurrë në memorien e popullit shqiptar.

 

Shpërndaj me të tjerët