Gjilani ka arritur të shënojë një fitore të vlefshme me rezultat 2:1 kundër Malishevës, falë dy penalltive të akorduara në favor të tij, në kuadër të javës së 22-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë. Në minutën e 13-të, sulmuesi i krahut, Oltion Bilalli, depërtoi bukur brenda zonës së rreptësisë, ku u pengua nga mbrapa nga mbrojtësi Vitija.
Gjyqtari nuk hezitoi dhe akordoi menjëherë penallti për vendasit. Nga pika e bardhë, në minutën e 15-të, u tregua i pagabueshëm kapiteni Armend Thaqi, i cili e dërgoi portierin në njërin krah dhe topin në tjetrin për 1:0.
Mysafirët arritën të kundërpërgjigjen në minutën e 38-të. Pas një krosimi të saktë nga këndi prej Nafiut, sulmuesi Diatta u shkëput fuqishëm dhe me një goditje të saktë me kokë barazoi shifrat në 1:1.
Në pjesën e dytë, Gjilani riktheu epërsinë sërish përmes pikës së bardhë. Në minutën e 68-të, pas një ndërhyrjeje të palejuar ndaj Rrahmanit, gjyqtari akordoi penalltinë e dytë për vendasit. Kësaj radhe përgjegjësinë e mori Senad Jaroviq, i cili shënoi për 2:1.
Fundi i ndeshjes ishte mjaft dramatik dhe me tensione. Në minutat shtesë, Malisheva kërkoi një penallti në një rast diskutabil.
Megjithatë, pasi e rishikoi rastin në ekranin e VAR-it, gjyqtari kryesor vendosi të mos akordonte 11-metërsh, gjë që shkaktoi revoltë të madhe te tabori i mysafirëve. Reagimet dhe acarimet e shumta zvarritën rifillimin e lojës deri në vërshëllimën e fundit.
Me këtë fitore, Gjilani ngjitet në kuotën e 33 pikëve, duke u futur në një seri rezultatesh pozitive dhe duke ngushtuar diferencën me vendin e tretë, pozitë kjo që siguron daljen në garat evropiane.

