Drita kërkon shkëputjen në derbin ndaj Prishtinës

Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë sonte arena e njërës prej përballjeve më përcaktuese të këtij sezoni.

Me fillim nga ora 20:00, Prishtina dhe Drita do të masin forcat në kuadër të javës së 22-të të Albi Mall Superligës, në një takim ku pesha e pikëve është maksimale për të dyja taborët.

Beteja për kreun e tabelës

Ky derbi vjen në një moment kritik të kampionatit. Drita aktualisht mban pozitën e parë me 38 pikë, duke synuar që përmes kësaj fitoreje të krijojë një shkëputje domethënëse nga ndjekësit.

Në anën tjetër, Prishtina renditet në vendin e tretë me 36 pikë, vetëm dy më pak se gjilanasit, gjë që e bën këtë ballafaqim një mundësi direkte për parakalim në renditje.

Ramadani: “Fokus i plotë te titulli i kampionit”

Pas eliminimit nga garat evropiane, skuadra e Dritës i ka kthyer të gjitha bateritë kah mbrojtja e titullit.

Kryetrajneri Zekirija Ramadani u shpreh optimist, por i matur para gazetarëve:

“Është një derbi i kamotshëm, një ndeshje që gjithmonë ka sjellë gola e emocione. Ne e dimë saktësisht se çka duhet bërë; kemi objektivin tonë kryesor dhe për ta arritur atë, duhet mposhtur çdo skuadër që na del përpara,” deklaroi Ramadani. Duke komentuar forcën e kundërshtarit, ai shtoi:

“Prishtina dominon si vendase, por ne nuk shkojmë atje për t’u dominuar. Shkojmë të japim maksimumin dhe kërkojmë trepikëshin. Nëse i qasemi Superligës sikur në ndeshjen kundër Celjes, jam shumë i bindur se ne do të shpallemi kampionë.”

Qetësia, çelësi i suksesit

Trajneri i “bardhekaltërve” kërkoi nga lojtarët e tij që ndeshjen ta trajtojnë me qetësi dhe pa ngarkesa emocionale.

Sipas tij, në përballje të tilla gabimi më i vogël mund të jetë vendimtar, prandaj përqendrimi duhet të jetë maksimal deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.

Me një fitore të mundshme sonte, Drita do të bënte një hap gjigant drejt konsolidimit si lider i padiskutueshëm, duke dëshmuar se pjekuria e fituar në garat evropiane po jep frytet e veta edhe në rrafshin vendor.

 

Shpërndaj me të tjerët