Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësitit Sektorial dhe Policisë në Komunitet të Stacionit Policor në Gjilan, ka zhvilluar një aktivitet sensibilizues për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve është mbajtur një ligjëratë edukative me temën “Siguria në Komunikacion” me fëmijët e kopshtit “Fjolla” në Gjilan. Gjatë këtij aktiviteti, fëmijët janë njoftuar me rregullat bazë të trafikut rrugor dhe rëndësinë e respektimit të tyre për sigurinë personale dhe të të tjerëve.
Pas pjesës teorike, aktiviteti ka vazhduar edhe me pjesën praktike në rrugë, ku fëmijët, të shoqëruar nga edukatoret dhe zyrtarët policorë, janë njohur nga afër me vendkalimin për këmbësorë, shenjat e komunikacionit, mënyrën e sigurt të kalimit të rrugës dhe sjelljen e duhur gjatë qëndrimit në automjet.
Sipas policisë, qëllimi i këtij aktiviteti është edukimi dhe vetëdijesimi i fëmijëve që në moshë të hershme për rregullat e trafikut, me synim rritjen e sigurisë së tyre në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.
Ligjëratë dhe praktikë: Policia edukon fëmijët për sigurinë në rrugë
