Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, ka zhvilluar një takim pune me psikologët e shkollave të komunës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në trajtimin e çështjeve që lidhen me mirëqenien psikologjike të nxënësve.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e rolit të psikologëve në institucionet arsimore, veçanërisht në identifikimin dhe trajtimin e hershëm të sfidave me të cilat përballen nxënësit, si problemet emocionale, sociale apo të sjelljes.
Në takim u theksua se bashkërendimi i aktiviteteve ndërmjet psikologëve, drejtuesve të shkollave dhe Drejtorisë së Arsimit është thelbësor për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për nxënësit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe mekanizmave të raportimit të rasteve, ku psikologët u inkurajuan që rastet që kërkojnë ndërhyrje institucionale të raportohen në mënyrë të rregullt dhe profesionale, duke respektuar procedurat dhe standardet e konfidencialitetit.
Kjo, sipas drejtuesve të arsimit, mundëson reagim më të shpejtë dhe koordinim më të mirë me institucionet përkatëse.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për organizimin e aktiviteteve vetëdijesuese në shkolla që lidhen me shëndetin mendor, parandalimin e dhunës dhe bullizmit, si dhe mbështetjen psikosociale të nxënësve.
Në fund të takimit, drejtori Rexhepi falënderoi psikologët për angazhimin dhe profesionalizmin e tyre, duke theksuar se bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe raportimi i rregullt janë çelësi për përmirësimin e shërbimeve mbështetëse për nxënësit dhe për ngritjen e cilësisë së jetës shkollore.
