Trajneri i të rinjve te FC Drita certifikohet si Video-Analist i Futbollit

Trajneri i futbollit me të rinjtë në klubin FC Drita nga Gjilani, Hekuran Ismaili, është certifikuar së fundmi si Video-Analist i Futbollit nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Këtë avancim profesional ai e ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e tij në futboll.

“Me shumë kënaqësi ndaj me ju një tjetër arritje në rrugëtimin tim profesional në futboll. Jam certifikuar si Video-Analist i Futbollit në Federatën Shqiptare të Futbollit, pas një kursi të zhvilluar nga profesionistë te Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, të cilët ndanë me ne përvojën dhe njohuritë e tyre në analizën moderne të lojës”, ka shkruar Ismaili.

Ai theksoi se, pas përvojës dhe sukseseve si trajner i të rinjve te FC Drita, vazhdon të investojë në zhvillimin e tij profesional dhe në zgjerimin e njohurive në fusha të ndryshme të futbollit.

Sipas tij, video-analiza është një nga mjetet më të rëndësishme në futbollin modern, pasi ndihmon klubet, trajnerët dhe lojtarët të analizojnë performancën, të përmirësojnë detajet taktike dhe të arrijnë objektivat sportive.

“Pas shumë trajnimeve dhe certifikatave në futboll, vazhdoj të pasurohem profesionalisht për të kontribuuar edhe më shumë në këtë sport që e dua. Tani, përveçse trajner futbolli, jam edhe Video-Analist i lojës së futbollit”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, me këtë certifikim, Gjilani tashmë ka dy video-analistë të certifikuar në futboll,  Hekuran Ismaili dhe Arben Zeqiri, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të analizës moderne të lojës në futbollin lokal

Shpërndaj me të tjerët