Vajzat e Gjilanit dominojnë kampionatin e pingpongut

Klubi i Pingpongut “Gjilani-F” ka përmbyllur me sukses të jashtëzakonshëm ciklin e Kampionatit Individual të Kosovës për grupmoshat e reja, duke konfirmuar primatin në këtë sport.

Në garat e fundit për kategoritë U13 dhe U19, sportistet gjilanase kanë dëshmuar formë të lartë, duke rrëmbyer trofetë kryesorë. Në kategorinë U13, Zana Bllaca mbrojti me sukses titullin, duke u rikonfirmuar si kampione e Kosovës pa asnjë humbje. Po ashtu, në konkurrencën e çifteve për këtë grupmoshë, dyshja Lira Hashani dhe Zana Bllaca u shpallën kampione, ndërsa Melisa e Suita Kosumi zunë vendin e tretë.

Suksese nuk munguan as në kategorinë U19, ku Adea Kulla u shpall nënkampione e Kosovës pas një paraqitjeje dinjitoze. Paraqitje të shkëlqyer në këtë kategori patën edhe dyshja Jona Hashani dhe Adea Kulla në garat e çifteve.

Me këto rezultate, KPP Gjilani-F mbyll sezonin me një bilanc mbresëlënës: kampione në kategoritë: U11, U13, U15 dhe U17 dhe nënkampione në kategorinë: U19.

Ky sukses është rezultat i punës sistematike të klubit dhe përkushtimit të trajnerit, duke e pozicionuar Gjilanin si qendrën kryesore të pingpongut për femra në vend.

 

Shpërndaj me të tjerët