TMERRI NË ZHEGËR/ Muhadin Haziri rrëfen vrasjen e prindërve dhe xhaxhait (Kujdes, pamje të rënda!)

Rrëfimi rrëqethës i Muhadin Hazirit: Si u ekzekutuan dy prindërit e mi dhe xhaxhai në oborrin e shtëpisë

Asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Muhadin Haziri, ka ndarë një dëshmi tronditëse për tmerrin e 30 marsit të vitit 1999 në Zhegër.

Përmes një shkrimi emocional, ai ka përshkruar momentet e fundit të dy prindërve të tij dhe xhaxhait, të cilët u vranë gjakftohtësisht nga forcat paramilitare serbe.

Sipas Hazirit, gjithçka nisi dy ditë pas festës së Bajramit, kur në Zhegër zbarkuan 8 autobusë me njësi ushtarake dhe paramilitare të ardhura nga Serbia.

Ky invazion, siç shpjegon ai, u nxit nga dezinformatat e serbëve lokalë, të cilët thirrën ushtrinë me pretendimin e rremë se po rrezikoheshin nga UÇK-ja.

Rrëfimi detajon se si vëllezërit Milazim e Qazim Haziri, së bashku me Qamilen (bashkëshorten e Qazimit) dhe anëtarë të tjerë, u kidnapuan dhe u dërguan në stacionin policor ku u maltretuan dhe u plaçkitën.

Tre paramilitarë, të ndihmuar nga serbët vendorë, i ndoqën ata deri në oborrin e shtëpisë me një veturë “Opel Ascona”.

Së pari u ekzekutua arsimtari i historisë, Milazim Idrizi, pasi u deklaroi vrasësve se “nuk i kishte bërë askujt asgjë keq”.

Kur Qazim Haziri reagoi për vrasjen e vëllait, u qëllua edhe ai me breshëri plumbash mbi shkallët e shtëpisë.

Tragjedia nuk përfundoi me kaq. Edhe pse fillimisht e kursyen, paramilitarët u kthyen pas një ore për ta vrarë edhe Qamile Hazirin.

Ajo u ekzekutua brenda shtëpisë nga krimineli Vlada Zmajeviç, pa asnjë rezistencë, duke e çuar në tre numrin e viktimave në të njëjtin vend.

“Kosova sot është e lirë dhe sovrane, por gjaku i tyre mbetet simbol i rezistencës, ka shkruar Haziri, duke theksuar se ekzistojnë edhe dëshmi fotografike të bëra nga inspektorët e asaj kohe që vërtetojnë këtë krim makabër.

Për familjet Haziri dhe Idrizi, muaji mars mbetet një plagë e hapur, por edhe një burim krenarie për sakrificën që u bë për lirinë që gëzojmë sot.

 

Shpërndaj me të tjerët