Më 1 Prill të vitit 1981, në zemër të Prishtinës, historia e lëvizjes kombëtare shqiptare do të shënonte një nga kthesat e saj më dramatike dhe më heroike.
Ismet Sylejmani, veprimtar i çështjes kombëtare dhe shumë përgjegjësive tjera para, gjatë dhe pas luftës, ka sjellë një dëshmi rrëqethëse për figurën e Hydajet Hysenit, të cilin e cilëson me plot meritë si “Megafoni i popullit shqiptar”.
Sylejmani, i cili në atë kohë ishte vetëm 17-vjeçar, e mban mend mirë këtë ngjarje dhe thotë se nuk do ta harrojë kurrë paraqitjen dinjitoze të Hydajet Hysenit
Sipas tij, fjalimi i mbajtur nga Hyseni në atë ditë pranvere të 81 -shit nuk ishte thjesht një thirrje politike, por ngjarja më e madhe historike e oratorisë politiko-patriotike, një vullkan që shpërtheu në mes të errësirës dhe tmerroi udhëheqjen shoviniste jugosllave.
Në atë kohë, Hydajet Hyseni ishte ilegali më i kërkuar dhe më i ndjekur nga gjithë aparati i ish-Jugosllavisë.
Dalja e tij publike në “kërthizë” të Prishtinës ishte një goditje dërrmuese për pushtuesit serbo-jugosllavë dhe veglat e tyre të shitura, të cilët ishin bërë “karta të djegura” përballë guximit të pashoq.
Sylejmani vë në dukje një fakt paradoksal dhe të dhimbshëm: ky fjalim historik, i cili çau mes për mes natën e rëndë të okupimit, mbetet ende i panjohur në formë të plotë për opinionin publik.
Ai nuk u botua kurrë i plotë, nuk u transmetua në radio e as në televizione, si gjatë luftimit të kaluar e po ashtu edhe pas përfundimit të luftës çlirimtare të UÇK-së.
Përshkrimi i Sylejmanit i jep Hysenit epitete legjendare, duke e portretizuar si djalin që i doli zot Atdheut, atëherë kur i gjithë Kombi po dëgjonte orën e tij historike.
Jehona e atij megafoni u dëgjua kudo, duke u ngjitur lart në qiellin e Kosovës si një premtim për lirinë që do të vinte.
Ky rrëfim shërben si një thirrje për të mos harruar sakrificën e atyre që nuk heshtën kur bota kërkonte heshtjen tonë, duke e lartësuar figurën e Hydajet Hysenit si simbolin e pathyeshëm të rezistencës dhe dinjitetit shqiptar.

