Në mesin e specialistëve që po lënë gjurmë në mjekësinë kosovare, Dr. Bardha Selmanaj Bislimi zë një vend të veçantë.
Si një nga alergologet e para në vend dhe aktualisht Drejtoreshë e Klinikës së Alergologjisë me Imunologji në QKUK, rrugëtimi i saj është një dëshmi e përkushtimit ndaj shkencës dhe shërbimit njerëzor.
Nënë e tre fëmijëve dhe një profesioniste e respektuar, ajo balancon me sukses përgjegjësitë e larta institucionale me kujdesin e drejtpërdrejtë për pacientët.
Një rrugëtim i nisur mes peripetive të luftës
Edhe pse fillimisht kishte një pasion për artin skenik, dëshira për t’u dalë në ndihmë njerëzve triumfoi, duke e orientuar drejt mjekësisë.
Dr. Bardha përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 2004, një periudhë e vështirë që pasoi sfidat e arsimit para luftës në Kosovë.
Karrierën e nisi si mjeke e përgjithshme në QKMF-në e Kamenicës, ku për katër vite shërbeu me devotshmëri, duke krijuar një bazë të fortë profesionale për hapat e radhës.
Specializimi në Tiranë dhe rritja e Alergologjisë në Kosovë
Në vitin 2008, ajo nisi specializimin në fushën e Alergologjisë me Imunologji Klinike, një drejtim që asokohe ishte në hapat e parë në Kosovë.
Një pjesë të rëndësishme të kësaj përvoje e mori në QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë, duke u ballafaquar me raste komplekse që i dhanë një formësim të lartë profesional.
Si një nga specialistet e para të kësaj fushe, Dr. Bardha luajti një rol kyç në funksionalizimin e Klinikës së Alergologjisë në kuadër të QKUK-së, duke e shndërruar atë në një njësi vitale për sistemin shëndetësor.
Sfidat e stinës, alergjitë respiratore dhe inovacionet në trajtim
Me ardhjen e pranverës, puna e Dr. Bardhës intensifikohet për shkak të lulëzimit të bimëve dhe lirimit të polenit, që shkaktojnë rinitin alergjik dhe astmën.
Ajo thekson se Alergologjia ka pësuar një avancim të jashtëzakonshëm, sidomos në diagnostikë dhe trajtimin me imunoterapi e terapi biologjike.
Së fundmi, ajo ishte pjesë e një konference profesionale në Madrid, ku prezantoi punimin studimor për sëmundjet e rralla, si Angioedema Hereditare, duke sjellë risitë më të fundit botërore edhe për pacientët në Kosovë.
Misioni në Gjilan dhe përgjegjësia si drejtoreshë
Përveç angazhimit në kryeqytet, Dr. Bardha mbetet shumë e lidhur me rajonin e Gjilanit, ku ushtron veprimtari private dhe gëzon një respekt të madh nga pacientët.
Duke qenë se Spitali i Gjilanit ende nuk posedon një shërbim të alergologjisë, në një kohë kur në tërë Kosovën janë vetëm disa specialistë të kësaj fushe, kontributi i saj mbetet esencial për këtë regjion.
Për të, roli i drejtoreshës në klinikën e Alergologjisë me Imunologji në QKUK nuk është privilegj, por një përgjegjësi e lartë institucionale për të siguruar mbarëvajtjen e shërbimeve shëndetësore.
Pavarësisht ngarkesës, Dr. Bardha Selmanaj Bislimi gjen forcën te familja dhe organizimi i mirë, duke dëshmuar se me vullnet mund të arrihet suksesi si në karrierë, ashtu edhe në jetën private.
Për të, ndjenja më e mirë mbetet vlerësimi dhe mirënjohja që merr nga ata që kanë më së shumti nevojë, pacientët e saj.
Shënim:
Ky tekst nuk mund të kopjohet as të tjetërsohet.
Mund të shpërndahet vetëm si link.
Falemnderit për respektimin e etikës së gazetarisë!
Botuesi dhe redaktori:
/F.S./
