Fillojnë kontrollet sistematike në shkollat e Gjilanit

Ka nisur sot procesi i kontrolleve sistematike shëndetësore për nxënësit e klasave parafillore, të parave dhe të pesta në komunën e Gjilanit.

Ky projekt po realizohet përmes një bashkëpunimi ndërsektorial mes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit.

Në nisjen e këtij procesi morën pjesë Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Mimoza Kadriu, Drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, si dhe zv. Drejtoresha e QKMF-së, Ud. Dr. Merrushe Ajeti, të shoqëruar nga ekipet e mjekëve specialistë.

Qëllimi kryesor i këtyre vizitave mjekësore nëpër shkolla është monitorimi i rregullt i gjendjes shëndetësore të fëmijëve dhe identifikimi i hershëm i çdo problematike të mundshme që mund të shfaqet gjatë rritjes.

Përmes këtij monitorimi, institucionet synojnë të sigurojnë një zhvillim të shëndetshëm për nxënësit dhe të rrisin mirëqenien e tyre brenda dhe jashtë procesit mësimor.

Drejtoresha Kadriu theksoi se kjo përkujdesje e vazhdueshme është jetike për ruajtjen e shëndetit publik të gjeneratave të reja, duke kontribuar drejtpërdrejt në parandalimin e sëmundjeve dhe edukimin shëndetësor që në moshë të hershme.

 

Shpërndaj me të tjerët