Në moshën 89-vjeçare, është ndarë nga jeta akademiku Rexhep Qosja, një nga figurat më emblematike të kulturës, letërsisë dhe mendimit politik shqiptar.
Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e të ndjerit, të cilët njoftuan se ceremonia e varrimit është kryer sot, më 23 prill 2026.
Sipas njoftimit të dhënë nga nipi i akademikut, përcjellja për në banesën e fundit është bërë në një rreth të ngushtë familjar, duke respektuar kështu amanetin e fundit të vetë Qosjes.
Akademik Qosja kishte lënë udhëzime të qarta që të mos organizohej asnjë ceremoni pritjeje nga familja (të pame).
Po ashtu, familjarët kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë organizim institucional që mund të planifikohet për nder të tij, duke kërkuar nga opinioni publik që të respektohet privatësia e tyre në këtë kohë zie.
“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026, është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja,” thuhet në njoftimin e tyre.
Rexhep Qosja do të kujtohet si autori i dhjetëra veprave monumentale në letërsi, histori të letërsisë dhe publicistikë.
Si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe drejtues i Institutit Albanologjik, ai ishte një zë i fuqishëm kritik dhe një mbrojtës i palëkundur i çështjes kombëtare shqiptare.
Me ikjen e tij, Kosova dhe mbarë kombi shqiptar humbin “Kolosin e Letrave”, një njeri që me penën e tij skaliti rrugëtimin tonë historik e kulturor.
