Prorektorja e UKZ-së zhvillon takim zyrtar me përfaqësues të CUNY në SHBA
Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Hulumtime dhe Kërkime Shkencore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Ass. Dr. Lindita Loku Nikqi, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim formal me Kim Holland, Drejtoreshë për Edukim Global dhe Iniciativa në The City University of New York (CUNY).
Qëllimi i këtij takimi ishte eksplorimi i mundësive për bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe The City University of New York, një ndër institucionet më të njohura të arsimit të lartë në SHBA.
Takimi u vlerësua si shumë pozitiv dhe inkurajues, duke hapur perspektiva të reja për diskutime të mëtejshme dhe duke krijuar një bazë të qëndrueshme për arritjen e një Memorandumi Bashkëpunimi (MoU) ndërmjet dy universiteteve.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, avancimin e cilësisë në arsim dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

