Ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, Naser Korça, ka njoftuar se ka fituar betejën ligjore në Gjykatën e Apelit lidhur me lokacionin e varrezave të reja në Gjilan.
Përmes një postimi në llogarinë e tij, Korça ka sqaruar epilogun e këtij procesi gjyqësor, i cili kishte nisur pas akuzave për shpifje që ndërlidheshin me punën e tij gjatë mandatit të kaluar.
Korça ka bërë publike detajet e aktgjykimit, duke theksuar se Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë vendimin e shkallës së parë, i cili e kishte dënuar atë me gjobë prej rreth 6,000 eurosh.
Më poshtë po ua sjellim reagimin e plotë dhe të pandryshuar të Naser Korçës:
Reagimi i plotë:
“Të nderuar qytetarë të Gjilanit, Një betejë tjetër e fituar në Gjykatën e Apelit, e cila kishte të bënte me lokacionin e varrezave të reja në Komunën e Gjilanit.
Në vitin 2019, me një vendim të ish Kryeministrit Ramush Haradinaj, një pronë që menaxhohej nga AKP, kaloi në pronësi të KK Gjilan, për nevoja të varrezave të reja të Komunës së Gjilanit. Me pranimin e vendimit, ne filluam projektin e ndërtimit të lokacionit për varrezat e reja, siç mund të shihet edhe në foto.
Dikujt nuk i pëlqeu kjo punë dhe na i ndalën punimet, për më keq, kur unë tregova se kush ishte fajtori që na i ndaloi (përmes Kuvendit dhe Gjykatës) punimet, ata më paditën për kinse SHPIFJE.
Në Aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore, një gjykatëse krejtësisht e pa përvojë, e që dyshoj unë, me tendenca revanshiste, më dënoi me rreth 6.000,00€ gjobë (5000 paditësit, dhe 700 shpenzimet e Gjykatës), si dhe masa tjera ndëshkimore, e duke mos i marrë fare parasysh provat të cilat i ofruam ne.
Falë punës shumë profesionale të Avokatit Sherif Sherifi, i cili e bëri ankesën në Gjykatën e Apelit, duke ju afruar prova të dokumentuara, si dhe trupit gjykues profesional në Gjykatën e Apelit, e gjithë lënda gjykohet në mënyrë të drejtë duke hedhur gjithë pretendimet e paditësit.
Prandaj, u dokumentua se unë në cilësinë e Drejtorit të DSHP-së, jam angazhuar, bashkë me Kryetarin Lutfi Haziri që problemi me lokacionin e varrezave të reja të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, por dikujt punët e mira të Lutës dhe Naserit i pengojshin shumë.
Sa për info, kanë kaluar gati 7 vite dhe asnjë zgjidhje tjetër për këtë qëllim, nuk është gjetur, dhe vazhdojnë të gënjejnë kjo qeveri Komunale, ndërsa qytetarët, të vdekurit shpesh i varrosin në varreza të përbashkëta në mungesë të hapësirave të lira.
Gjithmonë faqebardhë, para qytetarëve dhe para ligjit!”
