SHËNDETËSI / Emërohet drejtori i ri i QKMF-së në Gjilan, kryetari Hyseni premton mbështetje

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar nga drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kadriu-Qerimi, ka vizituar Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) për të prezantuar udhëheqjen e re të këtij institucioni.

Gjatë vizitës, kreu i komunës uroi Dr. Basri Kamberin për përzgjedhjen në pozitën e drejtorit të QKMF-së. Kryetari Hyseni shprehu bindjen se përvoja dhe profesionalizmi i drejtorit të ri do të shërbejnë si shtyllë për zhvillimin e mëtutjeshëm të institucionit dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve mjekësore.

Zotimi për reforma në shëndetësi ishte në qendër të diskutimit, ku udhëheqja komunale rikonfirmoi vazhdimësinë e politikave që synojnë ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për të gjithë qytetarët.

“Jemi të bindur se me përkushtimin e treguar, QKMF-ja do të njohë progres të vazhdueshëm. Urojmë punë të mbarë për drejtorin e ri dhe gjithë personelin shëndetësor që shërben me devotshmëri,” deklaroi i pari i Gjilanit.

Vizita u mbyll me premtimin për koordinim të ngushtë ndërmjet Komunës dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, duke e konsideruar shëndetësinë primare si prioritet absolut të qeverisjes lokale.

 

Shpërndaj me të tjerët