ARSIM / Universiteti “Kadri Zeka” dhe Policia e Gjilanit forcojnë bashkëpunimin për sigurinë dhe cilësinë

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur sot në një takim zyrtar Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqin.

Fokusi kryesor i bisedës ishte siguria e komunitetit universitar, parandalimi i dukurive negative dhe krijimi i një mjedisi sa më të sigurt për studentët dhe stafin akademik. Përtej aspektit të sigurisë, në takim u diskutua edhe për rolin e institucioneve të jashtme në proceset e sigurimit të cilësisë dhe akreditimit të programeve studimore.

Në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Policisë u vlerësua si një partner relevant i jashtëm. Kontributi i këtij institucioni shihet si i rëndësishëm në vlerësimin institucional, duke garantuar një ambient të rregullt dhe funksional për zhvillimin e aktiviteteve akademike.

Rektori Dërmaku theksoi përkushtimin e universitetit ndaj standardeve të larta të cilësisë, ku bashkëpunimi me faktorët relevantë të shoqërisë dëshmon përgjegjësinë institucionale. Ai vlerësoi lartë gatishmërinë e Policisë së Kosovës për të qenë pjesë aktive e këtij rrugëtimi.

Nga ana tjetër, Kolonel Agron Rukiqi shprehu mbështetjen e plotë të policisë në ruajtjen e rendit dhe mbështetjen e aktiviteteve që ndihmojnë mjedisin akademik.

Takimi u përmbyll me idenë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta edukative, si ligjërata dhe sesione informuese për studentët, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi sigurinë dhe rendin publik.

 

Shpërndaj me të tjerët