Spektakël i papërsëritshëm, gola dhe emocione pa fund në ndeshjen e parë gjysmëfinale të UEFA Champions League.
PSG ka triumfuar me rezultatin e rrallë 5-4 ndaj Bayern Munich, në një përballje që do të mbahet mend gjatë.
Takimi në “Parc des Princes” nisi me një ritëm të frikshëm. Bavarezët goditën të parët përmes Harry Kane, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë.
Megjithatë, përgjigja e parisienëve ishte e rrufeshme. Kvaratskhelia barazoi shifrat me një goditje mjeshtërore, ndërsa Neves përmbysi gjithçka duke kapur në gjumë mbrojtjen gjermane.
Ndeshja nuk u ndal këtu. Olise riktheu përkohësisht ekuilibrat për Bayernin, por në fundin e pjesës së parë, Ousmane Dembele realizoi nga penalltia, duke “elektrizuar” shkallët e stadiumit dhe duke dërguar ekipin e tij në pushim me avantazh.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtin avaz. PSG realizoi edhe dy herë të tjera me dyshen e pandalshme Kvara-Dembele, duke krijuar një distancë që dukej komode.
Por, mentaliteti gjerman nuk u thye. Upamecano dhe Luis Diaz (ky i fundit pas kontrollit të gjatë në VAR) ngushtuan shifrat në 5-4, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Tashmë, e gjithë vëmendja zhvendoset në “Allianz Arena” të Mynihut.
Pas këtij rezultati, Bayerni beson te përmbysja e madhe, ndërsa PSG do të kërkojë të administrojë këtë avantazh minimal drejt finales së madhe.

