Lorikë Sulejmani uron Ditën Botërore të Vallëzimit: Është gjuha e shpirtit që na bashkon
Koreografja e njohur nga Shoqëria Kulturore Artistike “Karadaku” në Gjilan, Lorikë Sulejmani, përmes një mesazhi emocionues ka uruar të gjithë valltarët dhe dashamirët e artit me rastin e Ditës Botërore të Vallëzimit.
Sulejmani, e cila tashmë njihet si një figurë kyçe në ruajtjen dhe kultivimin e valles shqipe, ka kujtuar rrugëtimin e saj të gjatë në këtë fushë, nga hapat e parë si vajzë e vogël e deri te roli i saj sot si mësuese dhe drejtuese festivali.
“Nga një vajzë e vogël që vallëzonte me ëndrra të mëdha, në një mësuese që përcjell pasionin te nxënësit, e deri sot si drejtuese festivali, çdo hap ka qenë një histori, çdo lëvizje një emocion,” shprehet ajo në mesazhin e saj.
Sipas saj, vallëzimi tejkalon thjesht lëvizjet skenike: “Vallëzimi nuk është vetëm art, është gjuhë e shpirtit që na bashkon të gjithëve. Gëzuar këtë ditë të bukur për të gjithë valltarët dhe ata që e duan artin e lëvizjes!”
Ky urim vjen në një kohë kur SHKA “Karadaku” vazhdon të mbetet një nga vatrat më aktive të kulturës në regjionin e Gjilanit, duke mbajtur gjallë traditën përmes brezave të rinj.

