Kampionia në fuqi, FC Drita, ndodhet tashmë në prag të një suksesi historik.
Pas fitores së fundit ndaj Prishtinës së Re dhe humbjes së Ballkanit kundër Llapit, gjilanasit kanë krijuar një distancë komode prej 8 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt.
Kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të kampionatit, Dritës i mjafton vetëm edhe një fitore për t’u kurorëzuar me titullin e pestë në histori të klubit dhe të dytin radhazi.
Ky sezon ka qenë mbresëlënës për “Intelektualët”, jo vetëm në ligën vendore, por edhe me paraqitjet dinjitoze në arenën ndërkombëtare.
Stolisja me titullin e sivjetshëm pritet ta kalojë klubin në një nivel tjetër organizativ dhe strategjik, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të projektit bardhekaltër.
Besimi i Zekirija Ramadanit dhe rekordi i ri
Një meritë të jashtëzakonshme në këtë rrugëtim ka shtylla e ekipit: lojtarët dhe stafi teknik.
Duhet veçuar optimizmi i trajnerit Zekirija Ramadani, i cili edhe kur skuadra ishte në disavantazh prej 8 pikësh nga kreu, deklaronte me siguri të plotë se Drita në fund do të shpallej kampione.
Ky titull do të jetë i veçantë edhe për vetë Ramadanin. Me triumfin e radhës, ai pritet të bëhet trajneri me më së shumti tituj të fituar në historinë e Superligës së Kosovës.
Aktualisht, ai numëron 4 tituj kampion, po aq sa trajneri Afrim Tovërlani, dhe ky sukses i pestë do ta vendoste atë i vetëm në krye të kësaj liste prestigjioze.
Tashmë që edhe lojtarët e lënduar janë rikthyer në dispozicion të skuadrës, të gjitha “kartat” janë në duart e Dritës.
Vetëm një mrekulli sportive mund t’ia rrëmbejë titullin skuadrës gjilanase, e cila po përgatitet për festën e madhe.

