ARSIM
Në Gjilan u mbajt tryezë diskutimi për parandalimin e dukurive negative në shkolla
Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si dhe Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka organizuar një tryezë diskutimi me temën “Parandalimi i dukurive negative, drogave, trafikimit me qeniet njerëzore dhe dukurive të tjera negative në mjediset shkollore”.
Në këtë aktivitet mori pjesë drejtori i Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, i shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për krijimin e mjediseve më të sigurta shkollore.
Me prezantimet e tyre kontribuuan zyrtarja e lartë për mbrojtjen e shëndetit në shkolla, Leonora Shala, zyrtarja e lartë për barazi gjinore, Azize Sekiraqa-Heta, si dhe përfaqësues të OSBE-së, Departamentit për Shërbime Sociale dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Policisë së Kosovës dhe OJQ-së “Labirinti”.
Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në identifikimin e sfidave, parandalimin e dukurive negative dhe përdorimit të substancave narkotike, si dhe në forcimin e mekanizmave për mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve.
Nga Komuna e Gjilanit u ritheksua përkushtimi për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërinstitucional, me synim krijimin e mjediseve shkollore të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për të gjithë nxënësit./ dita24h /
