ARSIM/  Një delegacion i lartë i “WSG University” nga Polonia vizitoi UKZ-në, synohen programe të përbashkëta studimore

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (UKZ) ka mirëpritur një delegacion të lartë nga WSG University i Polonisë, i përbërë nga Zëvendësrektorja për Çështje Ndërkombëtare, Prof. Dr. Magdalena Bergman, dhe Prof. Dr. Marzena Noińska-Macińska nga Departamenti i Teknologjisë së Informacionit. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zgjerimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike.

Delegacioni u prit në një takim zyrtar nga Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, me të cilin u diskutua për ecurinë e suksesshme të bashkëpunimit të deritanishëm dhe mundësitë e reja për të ardhmen.

Rektori Dermaku vlerësoi lart partneritetin me universitetin polak, duke theksuar se ndërkombëtarizimi mbetet prioritet kryesor për institucionin që ai udhëheq:

“Synimi ynë është që këtë partneritet ta zgjerojmë edhe më tej përmes programeve të përbashkëta të studimit, projekteve ndërkombëtare, mobilitetit akademik dhe aktiviteteve kërkimore që ndikojnë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë”, u shpreh Rektori Dermaku.

Nga ana tjetër, Zëvendësrektorja e WSG University, Prof. Dr. Magdalena Bergman, shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe potencoi se UKZ-ja është një partner i rëndësishëm strategjik me potencial të madh për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar.

Gjatë qëndrimit në UKZ, delegacioni polak zhvilloi një takim të veçantë me dekanët e fakulteteve dhe stafin akademik. Fokus i veçantë iu kushtua mundësisë së krijimit të programeve të përbashkëta studimore, veçanërisht në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, si dhe bashkëpunimit në fushën juridike dhe atë të shkencave sociale përmes projekteve të përbashkëta kërkimore e publikimeve shkencore.

Pjesë e rëndësishme e agjendës ishte edhe takimi me studentët e UKZ-së. Përfaqësueset nga Polonia prezantuan para tyre programet e studimit në WSG University, mundësitë e mobilitetit akademik (shkëmbimit të studentëve) dhe thirrjet e reja që do të hapen së shpejti, duke u përgjigjur edhe në interesimet e drejtpërdrejta të studentëve gjilanas.

 

Shpërndaj me të tjerët