ARSIM/ Programi “Shkenca Kompjuterike, BSc” riakreditohet për periudhën pesëvjeçare

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka pranuar vendim pozitiv për riakreditimin e programit të studimit “Shkenca Kompjuterike, BSc”, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.

Vendimi është marrë nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC), në mbledhjen e 151-të, të mbajtur më 16 qershor 2026, pas shqyrtimit të raportit të ekipit të ekspertëve për programin përkatës.

Sipas këtij vendimi, programi “Shkenca Kompjuterike, BSc” është riakredituar për periudhën pesëvjeçare, me 180 ECTS dhe kuotë prej 200 studentësh.

Riakreditimi i programit për një periudhë pesëvjeçare, sikurse edhe në ciklin e kaluar të akreditimit, dëshmon qëndrueshmërinë, relevancën dhe cilësinë e këtij programi studimor.

Njëkohësisht, rritja e numrit të kuotave reflekton interesimin e lartë të studentëve për programin “Shkenca Kompjuterike, BSc” ndër vite, si dhe nevojat në rritje të tregut të punës për profesionistë të fushës së teknologjisë së informacionit dhe shkencave kompjuterike.

Ky vendim paraqet një arritje të rëndësishme për Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe një dëshmi të punës së vazhdueshme në ngritjen e cilësisë akademike, zhvillimin e programeve bashkëkohore dhe përshtatjen e tyre me kërkesat e tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike.

Dekanja e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, u shpreh se ky vendim është rezultat i angazhimit të përbashkët të stafit akademik, administrativ dhe të gjithë kontribuuesve në procesin e akreditimit.

“Riakreditimi i programit Shkenca Kompjuterike, BSc, për periudhën pesëvjeçare është një konfirmim i përkushtimit tonë për të ofruar arsim cilësor dhe programe bashkëkohore në fushën e shkencave kompjuterike.

Ky sukses tregon relevancën e vazhdueshme të programit, interesimin e lartë të studentëve dhe rëndësinë e tij për zhvillimin e kuadrove profesionale në fushën e teknologjisë.

Fakulteti ynë do të vazhdojë të punojë me përkushtim për avancimin e mësimdhënies, zhvillimin e programeve cilësore dhe krijimin e mundësive të reja për studentët tanë”, theksoi dekania Ibrahimi.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike mbetet i orientuar drejt cilësisë, inovacionit dhe zhvillimit të vazhdueshëm, duke synuar të ofrojë programe studimore që i përgjigjen nevojave të studentëve, institucioneve dhe sektorit të teknologjisë në vend dhe më gjerë.

 

Shpërndaj me të tjerët