Ditën e sotme, me emocione të veçanta dhe mirënjohje të thellë, është shënuar pensionimi i edukatores së mirënjohur gjilanase, Zijavere Rukovci.
Për dekada me radhë, ajo shërbeu me përkushtim të lartë dhe profesionalizëm në shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan, duke u shndërruar në një ikonë të vërtetë të këtij institucioni arsimor.
Edukatorja Zijavere njihet si një shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë për fëmijët, duke edukuar dhe frymëzuar breza të tërë nxënësish, e duke lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre dhe të kolegëve me të cilët bashkëpunoi rrugëtimit të saj profesional.
Një model kreativ dhe e afërt me komunitetin
Përtej angazhimit të saj të përditshëm, Zijavere Rukovci shquhej për afërsinë e saj të jashtëzakonshme me fëmijët, kolegët dhe prindërit, duke krijuar një urë të fortë bashkëpunimi dhe besimi.
Shpirti i saj kreativ dhe metodat inovative të punës e bënë atë një model të vërtetë për shumë edukatore të reja, të cilat me të drejtë ia kishin lakmi profesionalizmin dhe e shihnin si udhërrëfyese në karrierën e tyre.
Reagimi i shkollës: “Një shembull që do të na frymëzojë gjithmonë”
Nga stafi i shkollës fillore “Selami Hallaqi” u shprehën të prekur nga ky largim, duke vlerësuar lart kontributin e saj shumëvjeçar:
“Shtatori i ardhshëm do të jetë ndryshe pa praninë e saj, por shembulli, vlerat dhe kontributi që la pas do të mbeten gjithmonë frymëzim për ne. Me mirënjohje të thellë, e falënderojmë për gjithçka që i dha shkollës sonë dhe i urojmë shëndet të plotë, lumturi, qetësi dhe shumë momente të bukura në këtë kapitull të ri të jetës.”
Komuniteti arsimor në Gjilan e konsideron pensionimin e saj si përmbylljen e një kapitulli të artë për shkollën, duke i uruar edukatores Zijavere Rukovci respektin më të madh për punën e palodhshme në ndriçimin e mendjeve të gjeneratave të reja.
Kontributi i saj do të mbetet i shkruar me shkronja të arta në historinë e arsimit lokal.

