Në një kohë kur vlerësimi publik për punëtorët nuk është i shpeshtë, pronari i kompanisë për përpunimin e mermerit dhe granitit “Fundamenti”, Bashkim Halili, ka zgjedhur që në 50-vjetorin e lindjes t’ua kushtojë një pjesë të veçantë të mirënjohjes pikërisht punëtorëve të tij.
Halili, i cili nga shumë bashkëpunëtorë dhe qytetarë vlerësohet si një biznesmen i thjeshtë, modest, i urtë, i qetë, i arsyeshëm, dorëlirë dhe me kulturë të lartë komunikimi, ka theksuar se punëtorët nuk janë vetëm kolegë pune, por pjesë e familjes së madhe të kompanisë.
“Ju nuk jeni vetëm kolegë pune, por pjesë e familjes sonë të madhe. Kontributi, përkushtimi dhe respekti juaj janë vlera që i çmoj pafund”, ka shkruar ai.
Në mesazhin e tij të falënderimit, Halili u shpreh mirënjohës edhe për familjen, bashkëpunëtorët dhe miqtë që morën pjesë në festimin e jubileut, duke veçuar gruan e tij për organizimin e befasisë dhe mikun Shefket Musliu për mikpritjen.
Sipas tij, 50-vjetori nuk ishte vetëm një ditëlindje, por një dëshmi e miqësisë, bashkëpunimit, familjes dhe respektit njerëzor, vlera që, siç tha ai, e bëjnë jetën dhe punën më kuptimplotë.
