Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Blerim Haziri, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kuvendi Komunal.
Ky vendim vjen si pasojë e kufizimeve ligjore që ndalojnë mbajtjen e dy pozitave, duke e detyruar atë të zgjedhë mes angazhimit akademik në universitet dhe funksionit politik në asamble.
Haziri, i cili ishte bërë pjesë e legjislaturës nga marsi i këtij viti, e ka bërë publik njoftimin përmes rrjeteve sociale, duke shpjeguar se ky largim është një detyrim ligjor dhe jo dëshirë personale.
Ai ka ngritur një shqetësim lidhur me ligjin e ri, i cili sipas tij, do të kufizojë shumë profesionistë që të kandidojnë në organet komunale në të ardhmen.
Haziri sqaroi se dorëheqja nuk lidhet me përfitimin e dy pagave (gjë që ligjërisht nuk është e mundur), por me përputhshmërinë e pozitave.
Pavarësisht largimit nga karrigia e asamblistit, Haziri ka siguruar mbështetësit e tij se nuk do të ndalet së përçuari zërin e tyre.
“Duke u ndjerë borxhli moralisht ndaj votuesve, ju siguroj se do të vazhdoj të përcjell çdo shqetësim dhe kërkesë të qytetarëve përmes kanaleve të ndryshme në qeverisjen komunale dhe tek kryetari Alban Hyseni,” ka shkruar ai.
Haziri, i cili njihet për aktivizmin e tij në platformat digjitale, theksoi se do të mbetet i angazhuar për qytetarët e Gjilanit deri në përfundim të këtij mandati, duke përdorur mjetet e tjera të komunikimit për të avokuar për kërkesat e komunitetit.
