Kamenica premton kurse falas dhe garë rajonale për nxënësit

Drejtoria Komunale e Arsimit në Kamenicë ka njoftuar një kthesë të rëndësishme për nxënësit dhe prindërit e kësaj komune, duke u zotuar se asnjë familje nuk do të ketë më nevojë të paguajë për kurse private në lëndën e matematikës.

Pas një takimi ndërmjet drejtorit të arsimit, Selami Klaiqi, dhe krerëve të Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, u bë e ditur se nga muaji shtator do të organizohen kurse falas për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta, me qëllim përmirësimin e rezultateve në mësimnxënie dhe mbështetjen e talenteve të reja.

Paralelisht me këtë nismë, Kamenica po bëhet gati të shndërrohet në qendër të matematikës rajonale, pasi do të jetë nikoqire e garës prestigjioze “Kupa e Anamoravës”.

Ky aktivitet, që planifikohet të mbahet në fillim të muajit qershor, pritet të mbledhë nxënësit më të suksesshëm nga Kumanova, Gjilani, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Vitia dhe Novobërda.

Kryetari i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, Bregan Isufi, konfirmoi se tashmë kanë nisur diskutimet për funksionalizimin e shoqatës edhe në Kamenicë dhe fuqizimin e aktiviteteve në fushat STEM, ndërsa po punohet që ky projekt të fitojë edhe mbështetjen e nivelit qendror ministror.

Ky bashkëpunim synon të krijojë një mjedis të ri arsimor, ku dija promovohet përmes garave rajonale dhe mbështetjes direkte për çdo nxënës, duke e kthyer Kamenicën në një pikëtakim të rëndësishëm për shkencën në nivel rajonal.

Shpërndaj me të tjerët