BUJQËSI / Ferma në Zhegër një shembull i punës dhe sfidave të fermerëve
Në fshatin Zhegër të Gjilanit, ferma e Gazmend Demit qëndron si një shembull i përkushtimit, investimeve të vazhdueshme dhe punës së palodhshme familjare.
E orientuar kryesisht në blegtori dhe punimin e tokës, kjo fermë është ngritur me mjetet e vetanake të fermerit, përfshirë edhe sigurimin e makinerisë e pajisjeve të nevojshme bujqësore.
Mirëpo, ruajtja dhe zhvillimi i një ferme të tillë sot po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve të derivateve, inputeve bujqësore dhe kostove të përgjithshme të prodhimit, karshi çmimeve të tregut që nuk garantojnë një të ardhur të qëndrueshme, po e vështirësojnë së tepërmi punën e përditshme të fermerit.
Përveç sfidave financiare, shqetësim kryesor për fermerët mbetet vonesa e subvencioneve shtetërore, pikërisht në kohën kur mjetet janë më se të nevojshme për përgatitjen e sezonit dhe kryerjen e mbjelljeve.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Muhadin Haziri, asambleist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, i cili vjen nga kjo zonë dhe e ka përshkruar nga afër veprimtarinë e kësaj ferme.
Haziri ka theksuar se Ministria e Bujqësisë dhe ministri Faton Peci duhet të ofrojnë mbështetje konkrete dhe me kohë për bujqit.
Sipas tij, nga këndvështrimi i fermerëve lokalë, deri më tani ka pasur më shumë deklarata sesa rezultate të prekshme në terren, duke bërë që bilanci i institucioneve qendrore të shihet si zhgënjyes për ata që përballen çdo ditë me këto vështirësi.
Fermerët nuk kërkojnë privilegje, por mbështetje reale, afatanshme dhe respekt për mundin e tyre, pasi pa punën e tyre nuk mund të ketë prodhim vendor, bujqësi të qëndrueshme e as siguri ushqimore.
/ dita24h /
