DIASPORA/ Biznesmeni dhe veprimtari me rrënjë nga Gjilani, Şaban Sönmez pajiset me shtetësi të Kosovës

Drejtori i Administratës në Komunën e Gjilanit, Elbasan Shabani, ka mirëpritur sot në një vizitë miqësore Şaban Sönmez (Sadriu), themelues dhe anëtar i Bordit Drejtues të shoqatës KAMDER në Bursa të Turqisë, i cili së fundmi është pajisur me shtetësinë e Republikës së Kosovës.

​Në këtë takim, ku prezent ishte edhe  Recep Gündüz, u diskutua për bashkëpunimin e ndërsjellë, raportet e shkëlqyera dhe lidhjet e veçanta midis dy shteteve.

​Me këtë rast, drejtori Shabani e uroi përzemërsisht Sönmez për marrjen e shtetësisë, duke e vlerësuar këtë si një moment simbolik të lidhjes së tij me vendlindjen dhe rrënjët e tij.

Kush është Şaban Sönmez (Sadriu) dhe lidhja e tij me Gjilanin?

​Me origjinë nga Laçiqi i Kamenicës, Şaban Sönmez është djali i Shaipit, një nallban i njohur e me emër në rrethin e Gjilanit.

Familja e tij takon familjes së njohur Daku, ndërsa një pjesë e madhe e farefisit të tij vazhdojnë të jetojnë në Gjilan.

​Para se të emigronin në Turqi në vitin 1970, familja e tij kishte jetuar pikërisht në Gjilan, në lagjen afër Ujësjellësit (te rruga “Halim Orana”).

​Sot, Şaban Sönmez është një biznesmen i suksesshëm dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptar në Turqi.

Ai shërben si nënkryetar i partisë në pushtet “AK Parti” për provincën e Bursës, kryetar i klubit shqiptar të futbollit “Zaferspor” në Bursa, si dhe mbetet një urë lidhëse e fuqishme mes Gjilanit, Kosovës dhe mërgatës sonë në Turqi.

Shpërndaj me të tjerët