Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka njoftuar se qytetarët tashmë do të kenë qasje në internet falas në disa prej vendeve më të frekuentuara të qytetit.
Sipas tij, është nënshkruar marrëveshja WiFi4WB me përfaqësues të GIZ-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt digjitalizimit të hapësirave publike.
Pas takimit zyrtar, delegacionet kanë parë nga afër funksionimin e rrjetit në Sheshin e Qytetit. Ky investim i mbështetur nga Bashkimi Evropian synon t’u ofrojë të rinjve, studentëve, bizneseve dhe qytetarëve qasje të lirë në informacion dhe shërbime digjitale.
Hyseni ka vlerësuar se projekte të tilla janë dëshmi se zotimet po shndërrohen në investime konkrete në shërbim të qytetarëve, duke falënderuar partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.
