Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht në Departamentin për Krime të Rënda, u mbajt sot seanca e shqyrtimit fillestar në rastin që lidhet me vrasjet e popullatës civile gjatë vitit 1999 në fshatrat Zhegër, Llashticë dhe në rajonin e Karadakut.
I akuzuari në këtë proces gjyqësor është Dragan Naskoviq, ish-komandant i Stacionit Policor në Zhegër gjatë periudhës së luftës. Ai përballet me akuza të rënda për krime lufte kundër popullsisë civile, përfshirë vrasjet, dëbimin me dhunë, djegien e pronave dhe plaçkitjet në këto lokalitete.
Për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve të pranishëm në seancën e sotme dhe pamundësisë kohore për t’i dëgjuar të gjithë, trupi gjykues vendosi që marrja në pyetje e tyre të organizohet me etapa, sipas kohës, vendndodhjes së ngjarjeve dhe numrit të dëshmitarëve.
Dëgjimi i pjesës tjetër të dëshmitarëve do të vazhdojë në seancën e radhës, për datën e së cilës palët do të njoftohen me kohë nga gjykata.
Dëshmitari nga Zhegra, Muhadin Haziri, i pranishëm në seancë, në një deklaratë për mediat theksoi përkushtimin e familjarëve dhe dëshmitarëve për të mos hequr dorë nga kërkimi i drejtësisë.
“Për viktimat e pafajshme, për familjet e tyre dhe për kujtesën e historisë sonë, do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi. E vërteta duhet të dëgjohet dhe drejtësia duhet të flasë fjalën e saj përfundimtare,” u shpreh Haziri.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë në seancat e ardhshme.
