Drejtori i Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, ka zhvilluar një takim njoftues me Këshillin e Prindërve të Komunës së Gjilanit, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet prindërve dhe institucioneve arsimore.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i Këshillit të Prindërve të Komunës, Faton Dubova, si dhe disa anëtarë të kryesisë.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet këshillave të prindërve në shkolla dhe institucioneve edukativo-arsimore në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Po ashtu, gjatë takimit u trajtuan edhe disa shqetësime të ngritura nga prindërit, si mosfunksionimi i disa këshillave të prindërve në shkolla të caktuara, mungesa e uniformave për nxënës dhe mungesat e nxënësve, veçanërisht në shkollat e mesme të larta.
Bashkëbiseduesit u dakorduan që siguria, disiplina dhe cilësia në shkolla të mbeten objektiva të përbashkëta, për realizimin e të cilave kërkohet angazhim i përbashkët institucional dhe shoqëror.
Drejtoria Komunale e Arsimit mbetet e përkushtuar për të punuar në arritjen e këtyre objektivave dhe për forcimin e bashkëpunimit me prindërit në funksion të përmirësimit të sistemit arsimor.

