Familja Zymberi dhuron 6 mijë euro për vakëfin e xhamisë në lagjen “Dheu i bardhë” në Gjilan

Familja e  Mursel Zymberi, përkatësisht vëllezërit Nexhat dhe Jashar Zymberi, kanë vazhduar traditën e tyre të bamirësisë duke kontribuar me 6,000 euro për blerjen e vakëfit për xhaminë në Gjilan.

Ky kontribut vjen pas një sërë aktivitetesh humanitare gjatë këtij muaji, ku familja Zymberi ka shpërndarë edhe pako ushqimore për familjet në nevojë, duke dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj solidaritetit dhe ndihmës për komunitetin.

Bëhet fjalë për Xhamia Abdullah Es-Sulejmi në lagjen Dheu i Bardhë, e cila ka marrë vendim për blerjen e një trualli prej 8.23 ari, i vendosur përballë xhamisë.

Ky truall pritet t’i bashkëngjitet xhamisë si vakëf dhe do të shërbejë për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të ardhshme.

Nga përgjegjësit e xhamisë bëhet e ditur se ky investim është i domosdoshëm për zgjerimin e hapësirave dhe zhvillimin e mëtejshëm të aktiviteteve në shërbim të besimtarëve.

Megjithatë, për përmbylljen e këtij projekti ende nevojiten rreth 40,000 euro, ndërsa bëhet thirrje për kontribute nga të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj vepre bamirëse.

Kontributi i familjes Zymberi është vlerësuar lartë, duke u konsideruar si një shembull i mirë i solidaritetit dhe përkushtimit në shërbim të komunitetit.

 

 

Shpërndaj me të tjerët