FUTBOLL/Gjilani dhe Drita në kërkim të pikëve maksimale

Dy skuadrat gjilanase të futbollit hyjnë në këtë javë kampionale me objektiva të qarta, vetëm fitorja është në mendjen e tyre.

Kampionia aktuale, Drita, e pret një udhëtim i vështirë në Skenderaj, ku do të përballet me Drenicën,  një skuadër që po lufton fort për mbijetesë.

Drita kryeson tabelën me 54 pikë, ndërsa Drenica renditet në pozitën e parafundit me 32 pikë.

Drejtuesit e Dritës janë të vetëdijshëm për sfidën që i pret, pasi përballë kanë një kundërshtar të fortë në fushën e vet, në një terren me bari natyral që nuk është në gjendjen më të mirë për lojë cilësore.

Për më tepër, Drita në këtë përballje hyn me rreth 10 mungesa, por pavarësisht kësaj, objektivi mbetet i qartë , tri pikët.

Kujtojmë se në stinorin vjeshtor, Drenica kishte arritur ta mposhtë Dritën në të dyja përballjet.

Në anën tjetër, Gjilani në kuadër të javës së 29-të pret Dukagjinin, një kundërshtar që tradicionalisht nuk i ka përshtatur shumë.

Megjithatë, sipas stafit teknik, skuadra është përgatitur maksimalisht dhe synon fitoren në këtë ndeshje të rëndësishme.

Gjilani aktualisht renditet në pozitën e katërt me 43 pikë dhe, në rast fitoreje, mund të ngjitet në vendin e tretë.

Ndërkohë, Dukagjini mban pozitën e gjashtë me 35 pikë.

Java që vjen pritet të jetë vendimtare për të dy skuadrat gjilanase, që synojnë të vazhdojnë garën drejt objektivave të tyre sezonale.

Shpërndaj me të tjerët